“Libra, që duan fëmijët”, nga Alma Zenellari!

“Libra, që duan fëmijët”, nga Alma Zenellari!

“Nëse prindërit na mësojnë të duam, të qeshim, të flasim, të vrapojmë, kur hyjmë në botën e librave, ne mësojmë se kemi edhe flatra”


Ka ditë që pasi kam mbaruar së lexuari ndonjë roman apo ese letrare, u rikthehem herë-herë librave për fëmijë. Kjo për kënaqësi shpirtërore por edhe për të zgjuar fëmijën brenda vetes. Sepse çdo njëri prej nesh ka brenda vetes atë, fëmijën e vogël me pafajësinë, çiltërsinë dhe pastërtinë shpirtërore, që na bën të ruajmë vetveten nga e keqja. Më kalojnë në duar shumë tituj të bukur të veçantë dhe kërshëria ime është aty, alerte. I marr i lexoj. Përshtypja rreth tyre është pak a shumë e mirë, duke i parë në një këndvështrim më të gjerë. Çdokush mund të ndihet entuziast kur lexon libra jo vetëm me kopertinë e tituj të zgjuar, por edhe me përmbajtjen si të tillë, me brendinë e cila shpesh të befason po aq këndshëm. Përfshihesh emocionalisht kur të tërheq leximi e padyshim edhe mesazhi. Dhe kjo është ajo që ne dëshirojmë, që tregimi të zgjojë ndjeshmërinë e fëmijëve. Ja p.sh. disa tituj që sapo i kam i lexuar me shumë dëshirë sapo ata u shfaqën në bibliotekë..
“Arinjtë duan të fluturojnë”, “Babi nuk ka frikë nga të huajt”, “Aventurat e lepurushit Pitter, Flouku dhe Lila”, “Peshkatarët e fjalëve”, Vajza që donte të shpëtonte librat” etj.
Narrativa e tyre ishte sa e bukur e thjeshtë me përshkrime delikate po aq edhe entuziaste për nga mesazhi që përcillet. Fëmijët e vegjël kanë nevojë të ngutshme për libra të tillë që t’u përshtatet moshës së tyre. Për këtë arsye autori përdor gjuhën po aq të përshtatshme për t’u perceptuar, për t’u brendësuar lehtësisht te fëmija. Si dhe për ta shijuar deri në fund historinë. Libra që emocionojnë jo vetëm të vegjlit, por edhe prindërit të cilët duhet t’ua lexojnë këto aventura me pluhur magjie, vogëlushëve të tyre.