Intervistë/ “Zgjohu, është koha jote”; Thirrja e Flora Skëndos për çdo grua!

Intervistë/ “Zgjohu, është koha jote”; Thirrja e Flora Skëndos për çdo grua!

Intervistë me Flora Skëndon, autore, vizionare dhe zë i fuqizimit femëror

Në një kohë kur zëri i gruas përplaset ende mes murit të heshtjes së trashëguar dhe jehonës së një bote që më në fund po dëgjon, vjen “It’s My Time” një libër që nuk është thjesht një rrëfim personal, por një thirrje universale. Nuk është vetëm një tekst. Është një fjalë që zgjon, një pasqyrë që sfidon, një ftesë për veprim. Autorja, Flora Skëndo, nuk shkroi një libër për të rritur numrin e titujve në biblioteka, por për të ndezur një dritë që mund të shndërrohet në lëvizje.

Në këtë intervistë të veçantë, Flora flet jo vetëm për lindjen e librit, por për themelimin e një manifesti për vetëdijesim, guxim dhe ndryshim të vërtetë, i cili tashmë do të pasohet nga workshope transformuese, evente ndërgjegjësimi dhe krijimi i një komuniteti mbështetës për gratë që zgjedhin të mos presin më.

Cili ishte momenti kyç që ju frymëzoi të shkruani “It’s My Time”? A mund të ndani një përjetim personal që u kthye në katalizator për këtë libër-manifest?

Nuk ishte një moment me dritë skenike apo me reflektorë. Ishte një ditë e heshtur në dukje, por që brenda meje bërtiste. Një moment ku pas shumë viteve pune, përkushtimi dhe sakrifice, ndihesha sërish sikur më kërkohej të jem “pak më pak”. Të mos ngrihem shumë. Të mos flas aq fort. Të pres radhën.

Në atë çast, nuk u rebelova me britmë, por me një qetësi që vinte nga thellësia:
“Jo më. Tani është koha ime”.

Aty kuptova se kjo nuk ishte vetëm historia ime. Ishte historia e shumë grave që nuk i kanë dhënë zë momenteve kur janë ndjerë të papranueshme, të reduktuara, të padukshme. Dhe aty lindi libri. Ose më saktë: lindi manifesti.

“It’s My Time” është më shumë se një rrëfim. Është një kujtesë. Një grua që thotë “mjaft”, nuk po braktis askënd, ajo po zgjedh më në fund veten.

Cilat janë pengesat më të mëdha që, sipas jush, gratë përballen sot si në shoqëri, ashtu edhe brenda vetes?

Pengesa më e vështirë për t’u kapërcyer është ajo që nuk duket. Dhe në këtë udhëtim, gratë përballen me dy lloje të dhimbshme të padukshmërisë: ajo që vjen nga jashtë, një shoqëri që e ka mësuar të mos kërkojë shumë dhe ajo që është brenda një ndjesi e trashëguar që i thotë:

Modeli i “gruas që duhet të durojë”:

Gruaja shqiptare është edukuar që të jetë “e fortë” jo për të ndërtuar veten, por për të duruar burrin, familjen e burrit, sistemin, vështirësitë.

Ajo duhet të mbajë gjithçka mbi supe, por të mos ankohet.

Ky model ka krijuar një bindje kolektive se të duash veten është egoizëm, dhe se të kërkosh më shumë është mosmirënjohje.

Modeli i “vajzës së ndershme”:

Edukimi i saj ka qenë i lidhur me reputacionin, jo me zhvillimin. Ajo duhet të jetë e matur, e heshtur, e përmbajtur, sepse “goja e botës është e keqe”.

Ky model ka mbyllur shumë vajza në burgje të padukshme, ku zgjedhjet personale janë luks.

Modeli i “nënës që vetësakrifikohet”:

Gruaja shqiptare është glorifikuar kur ka hequr dorë nga vetja për fëmijët, për burrin, për familjen.

Por rrallë është vlerësuar kur ka dashur të ndërtojë një karrierë, një ëndërr personale, një identitet përtej rolit të nënës apo bashkëshortes.

Modeli i gruas “që ka kaluar moshën”:

Në shumë rrafshe, gruaja shqiptare shihet si “në kulm” vetëm në një fazë të jetës rreth të tridhjetave. Më pas, ajo zhduket nga diskursi publik, televizion, politikë, reklamë.

Shumë gra që arrijnë pjekurinë e vërtetë në të dyzetat, pesëdhjetat e më tej, nuk gjejnë më hapësira që i përfaqësojnë.

Shoqëria jonë është ende shumë e zotuar ndaj rolit të gruas që sakrifikon. Që duron. Që rri në plan të dytë për të qenë “e denjë”. Dhe nga ana tjetër, brenda vetes, ajo përjeton sindromën e jo-mjaftueshmërisë, një boshllëk që nuk mbushet me diploma, as me role, por me njohjen e vetvetes.

Pengesat më të mëdha nuk janë në mure konkrete, por në besime të rrënjosura që janë trashëguar nga brezi në brez. Dhe është koha që kjo trashëgimi të sfidohet. Me zë. Me vetëdije. Me dashuri për veten.

Si mund të nisë një grua udhëtimin e saj drejt vetëdijes dhe fuqizimit, kur ndihet e pavlerësuar, e padukshme apo e frikësuar nga ndryshimi?

Çdo udhëtim i vërtetë fillon nga një vend i errët. Dhe për ironi, pikërisht kur ndihemi më të vogla, jemi më afër zgjimit të madh. Gruaja nuk ka nevojë të jetë gati ka nevojë të jetë e sinqertë me veten. Udhëtimi nuk nis me fjalime, as me plane të mëdha. Ai fillon me një pyetje të vetme, që mban brenda një jetë të re:
“Po sikur të mos kisha frikë, çfarë do të doja për veten time?”.

Një ditar, një mendim i thjeshtë, një “jo” që thuhet për herë të parë me vendosmëri këto janë aktet e para të fuqizimit. Ndonjëherë, të dalësh nga padukshmëria nuk do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes do të thotë të jesh në qendër të vetes.

Nëse një grua ndodhet në një gjendje ku çdo gjë duket si një rrugë pa kthim, çfarë do t’i thoshit?

Do t’i thosha: “Ti nuk je në fund. Ti je në pragun e vetëndryshimit”.

Kur gjithçka duket e shkatërruar, shpesh nuk është fundi, është shkulja e një strukture që nuk na shërben më. Dhe ndërsa kërkojmë kthesa, ndoshta ajo që na duhet është vetëm pak durim, një frymë e thellë, një dritare shprese. Jo gjithmonë rruga ka nevojë të ndryshojë, ndonjëherë duam thjesht të ecim ndryshe mbi të.

Do ta ftoja të mos gjykojë veten për asgjë që nuk është “ende”. Dhe të kuptojë se nëse ka mbijetuar, atëherë është gati të jetojë me një forcë që nuk e ka provuar ende.

Si ndihmon libri “It’s My Time” në këto momente për gratë që kërkojnë një kthesë jetësore?

Ky libër nuk është një manual suksesi. Është një manifest për rikthimin te vetja. Një shtrëngim duarsh, një pasqyrë që flet, një shoqërim i heshtur por i thellë. Ai nuk ofron receta të gatshme, ofron pyetje që çelin dyer. Nuk premton qetësi, por premton kthjelltësi.

“It’s My Time” është vetëm kapitulli i parë i një lëvizjeje më të madhe. Ajo do të pasohet me workshope transformuese, ku gratë do të mësojnë të ndërtojnë guximin si muskul, të shkruajnë jetën e tyre sipas një vizioni të ri dhe të lidhen me njëra-tjetrën jo nga nevoja, por nga dëshira për rritje të përbashkët.

Si e shihni sot gruan shqiptare në raport me lëvizjen globale për barazi dhe vetëfuqizim?

Gruaja shqiptare është në një etape unike tranzicioni. Ajo nuk është më vetëm dëgjuesja e ndryshimit, por krijuesja e tij. Ndërsa bota flet për fuqizim në konferenca dhe raporte, ajo është duke e jetuar atë në terren: në familje, në punë, në heshtje dhe në qëndrim.

Ajo nuk po huazon modele. Po krijon të sajat. Me mençurinë e një shpirti, që ka duruar dhe me guximin e një zëri që tani është gati të dëgjohet.

Cili ka qenë komenti më prekës që keni marrë pas botimit të librit?

Një mesazh i thjeshtë, por i paharrueshëm: “Kam vite që nuk kam ndjerë se më kupton dikush. Kam heshtur shumë. Dhe tani, pas leximit të librit, më duket sikur dikush më kapi dorën dhe më tha: ‘Je ende këtu. Dhe është koha jote’”.

Ky koment më kujtoi pse e shkrova këtë libër. Dhe pse nuk do të ndalem vetëm me këtë libër. Sepse ky është një zë që nuk do të shuhet me një faqe të fundit, është një zë që do të jetojë në punët që do të bëjmë bashkë, në eventet që do të organizojmë, në komunitetin që do të rritet.