PhD. Geranda Hoxhaj ndan eksperiencën e saj dhe jep mesazhin e fortë për nënat me fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit!
“Të gjitha nënat bëjnë gjithçka munden, nëse fati i përballë me një sfidë kaq të madhe. Unë kam njohur shumë nëna që kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, për të gjetur një rrugë për të ndihmuar fëmijët e tyre, pavarësisht kostove shumëfishe”, shprehet PhD. Geranda Hoxhaj për “Mediaprint”.
Kur fati dhe jeta të përballë me sfida të tilla, padyshim që një forcë e mbinatyrshme lind te të gjithë prindërit, për t’i ardhur në ndihmë të shtrenjtëve të tyre, për të bërë ç’është e mundur që ata të përshtaten me jetën e përditshme dhe për të qenë sa më shumë funksionalë.
PhD. Geranda, nënë e një fëmije me çrregullime të spektrit të autizmit dhe autore e një libri dedikuar këtyre fëmijëve, ka ndarë eksperiencën e saj me Shtëpinë botuese “Mediaprint”, teksa ka dhënë mesazhe të forta për të gjitha nënat, te të cilat autizmi është bërë pjesë e pandashme e rrugëtimit të tyre jetësor.
PhD. Geranda, si lindi ideja për të realizuar një set për nxënësit me çrregullime të spektrit të autizmit?
Seti me titull “Të punosh me nxënësit/fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit” është produkt i studimeve të mia doktorale të udhëhequra nga profesoresha jonë e mirënjohur e psikologjisë, Prof. Dr. Milika Dhamo. Për hartimin e setit u studiuan një sërë rrymash psikologjike dhe metodika bashkëkohore, që përdoren në botë për trajtim të fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit. Gjatë përgatitjes së këtij seti isha në pozicionin e kërkueses shkencore, mësueses dhe nënës.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë përmban ky set?
Qëllimi kryesor mbi të cilin u ndërtua seti, ishte që t’u jepej psikologëve, mësuesve dhe prindërve një material i plotë didaktik, i shoqëruar me mjete konkrete, për të punuar me fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit. Seti përmban një udhëzues didaktik të përbërë nga disa kapituj, që përshkruajnë si çrregullimet e spektrit të autizmit, ashtu dhe metodikën se si ky set mund të përdoret.
Seti përmban fletore të modeluara për gjuhën dhe matematikën. Mjetet didaktike vijnë si vlerë e shtuar, të përshtatura me fletoret e punës, si dhe me mundësitë e këtyre fëmijëve për të punuar me ndihmën e konkretizimit në çdo hap.
Keni patur ndonjë moment që jeni dorëzuar? Ku e keni gjetur forcën për t’u ringritur?
Nuk ka nënë që dorëzohet. Dorëzimi nuk ekziston fare si mundësi, kur përballesh me autizmin. Ditët dhe vitet fluturojnë, midis përpjekjeve se si mund të ndryshosh realitetin e hidhur.
Por ka një lloj tjetër dorëzimi të domosdoshëm për të ndihmuar veten dhe fëmijën, mendoj unë. Dhe kjo është të pranosh faktin, se autizmi do të jetë përherë aty. Gjithçka që mund të bëhet është të trajnohet fëmija për t’u përshtatur me jetën e përditshme, për të qenë sa më shumë funksional.
Nëse do të ktheje kokën pas dhe do të bënit një reflektim për gjithçka ka ndodhur; Ju vetë çfarë keni mësuar dhe kuptuar gjatë këtyre viteve?
Diagnoza nuk e ndryshon dashurinë për fëmijën, përkundrazi e shumëfishon atë.
Si është një ditë e zakonshme e juaja në Suedi, aty ku prej vitesh jeni zhvendosur?
Dita shkon me profesionin tim të mësimdhënies. Pjesa më e këndshme janë kurset e gjuhës shqipe për suedezë të rritur, që unë kam në një universitet.
Cilat janë ndryshimet më të mëdha që keni hasur në sistemin në Suedi krahasuar me Shqipërinë? (Gjithmonë lidhur me trajtimin e fëmijëve dhe nxënësve me çrregullime të spektrit të autizmit)
Ndryshimet janë shumë të mëdha. Kryesorja është se sistemi në Suedi, është ndërtuar i tillë që fëmijëve në përgjithësi, dhe atyre me autizëm në veçanti, t’u ofrohet gjithçka nevojitet që nga mësimdhënia deri te përkujdesja, në mënyrë që prindi të jetë i lirë për të vazhduar normalisht punën dhe jetën.
Keni kryer studime për punën me fëmijët dhe nxënësit me çrregullime të spektrit të autizmit; kur e morët këtë vendim?
Doktoratura ime është në Psiko-Pedagogji. Tema ishte, trajtimi i fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit. Në realitetin shqiptar që nuk ofrohej asnjë mundësi shkollimi apo trajtimi për fëmijët me autizëm, isha e detyruar të lija punën me kohë të plotë. Në atë kohë zgjodha të isha shoqëruesja e tim biri në shkollë gjatë paraditeve, pasditeve dhe në fundjavë punoja me kohë të pjesshme si pedagoge e lëndëve psikologjike dhe pedagogjike në disa universitete. Studimet doktorale ishin mundësia më e mirë, për të vazhduar punën në universitet dhe për t’u kujdesur për tim bir.
Si një nënë e një fëmije me çrregullime të spektrit të autizmit, meqenëse jemi në Ditën Botërore të Autizmit, çfarë mesazhi do t’u japësh prindërve që ndodhen në të njëjtën situatë me ju?
Mesazhi im do të ishte ta kthejnë dashurinë e pakufishme, që kanë për fëmijën e tyre në afrimitet dhe përkujdesje. Zgjidhni të jeni gjithmonë pranë fëmijës tuaj, mos prisni shumë nga të tjerët, përfshihuni sa më shumë të jetë e mundur në aktivitete me ta, sa do të vogla në dukje qofshin. Bëhuni ju mësueset e para, sado e vështirë të duket. Është një gjuhë që fëmijët me autizëm e kuptojnë shumë mirë, ajo është gjuha e dashurisë, që nuk ka nevojë për fjalë. Guxoni të shkoni në sa më shumë mjedise me ta, duke injoruar sytë vëzhgues apo dhe qortues, që me sa duket do të vazhdojnë të jenë pjesë e realitetit tonë shoqëror.