Libraria Starfield: Një bibliotekë e bukur dhe mbresëlënëse në Seoul!

Libraria Starfield: Një bibliotekë e bukur dhe mbresëlënëse në Seoul!



Jeni adhurues i librave? Dhe njëkohësisht jeni të fiksuar edhe pas librarive më të bukura në botë? Një prej librarive më të famshme dhe mbresëlënëse ndodhet në Seoul, “Libraria Starfield”. A keni dëgjuar ndonjëherë për të?


Libraria Starfield është dykatëshe dhe ka rafte librash 13 metra të gjatë. Ky oazë librash është një hapësirë publike, ku çdokush mund ta vizitojë qoftë, edhe thjesht për t’u çlodhur e pushuar.

Kjo librari ka më shumë se 50 000 libra dhe 600 revista. Përveç kësaj, ajo shërben edhe si qendër eventesh. Aty zhvillohen shumë ngjarje, si, takime me autorë, biseda librash, lexim poezish, leksione me intelektualë dhe personalitete, etj..

Libraria Starfield u ofron vizitorëve një hapësirë të përsosur leximi. Aty të gjithë mund ta gjejnë veten në morinë e librave dhe të kalojnë kohë të bukur dhe cilësore, duke lexuar libra interesantë, emocionues, argëtues dhe tërheqës. Gjithashtu, libraria është e pajisur edhe me lloje të ndryshme tavolinash, që janë të pajisura me priza elektrike. Kjo është e përkryer për ata që duan të përfundojnë disa punë në laptopët e tyre ose të bëjnë studime, duke përdorur librat e pafund që kjo librari ka.

Libraria Starfield është mahnitëse dhe ka një dizajn unik, ndaj edhe ju, si shumë të tjerë, nëse e vizitoni këtë librari do të merrni shkallët lëvizëse disa herë, për të kapur fotografinë më të bukur.